Lushaku-Sadriu i përgjigjet Pozharit: Shifra e publikuar për banesën është mashtrim, jo 9 milionë euro
Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka reaguar pas deklaratave të Xhevdet Pozharit duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe të motivuara politikisht.
Sipas saj, në deklarimin e pasurisë është paraqitur qartë një transfer nga shitja e një banese familjare në Qerret në vlerë prej 94 mijë eurosh, dhe jo 9 milionë euro, siç është pretenduar publikisht.
Lushaku-Sadriu ka akuzuar Pozharin për, siç thotë ajo, “shpifje dhe propagandë të qëllimshme” duke shtuar se informacionet e publikuara nuk janë verifikuar si duhet nga ana profesionale.
Ajo theksoi gjithashtu se rasti i deklarimit të pasurisë është çështje teknike për të cilën është njoftuar edhe Agjencia Kundër Korrupsionit duke e quajtur polemikën një tentim për devijim të vëmendjes nga problemet reale.
“Kur publikohen shifra të tilla pa bazë, dëmtohet jo vetëm individi, por edhe besimi i qytetarëve në informim të saktë”, ka deklaruar ajo.
Debati vjen në kuadër të përplasjeve të vazhdueshme politike mes përfaqësuesve të LDK-së dhe zëdhënësve apo mbështetësve të Lëvizjes Vetëvendosje. /Kosova.info/
