Kurti për Rexhep Qosjen: Zëri i intelektualit që mbetet udhërrëfyes
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalimin e tij përkujtimor për akademikun Rexhep Qosja, vuri në pah rolin e pazëvendësueshëm të intelektualit krijues dhe përgjegjësinë e tij ndaj shoqërisë.
Kurti theksoi se heshtja e intelektualit përballë padrejtësive dhe “bërtima e popullit të ndaluar” janë kontradikta që vazhdojnë ta sfidojnë ndërgjegjen kolektive. Sipas tij, figura e Qosjes mishëronte pikërisht ndërthurjen e akademikut me rilindësin – një formulë që mbetet e domosdoshme për orientimin moral dhe politik të vendit.
Në fjalën e tij, Kurti rikujtoi edhe një shembull që Qosja e sillte shpesh nga shkrimtari Anton Chekhov, përmes tregimit “Pilivricka”, ku një mjek shkencëtar nuk vlerësohet sa është gjallë, por vetëm pas vdekjes së tij – një reflektim i thellë për mënyrën se si shoqëria shpesh i trajton mendjet e mëdha.
Duke përmbyllur fjalimin, Kurti shprehu mirënjohje për jetën dhe veprën e Qosjes duke theksuar se trashëgimia e tij do të mbetet udhërrëfyes për brezat që vijnë.
“U prehtë në paqe profesor Rexhep Qosja dhe lum na që e patëm”, përfundoi ai. /Kosova.info/
