Sveçla: Dënime maksimale për të të gjithë të përfshirët në Banjskë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë lidhur me sulmin terrorist në Banjskë, ku dy të akuzuar janë dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa një tjetër me 30 vjet burgim.

Sveçla ka deklaruar se në këtë ditë të rëndësishme për drejtësinë e Republikës së Kosovës, vendimi për sulmin në Banjskë duhet të reflektojë vetëm një standard: dënime maksimale për të gjithë të përfshirët.

Ai theksoi se ky standard duhet të vlejë për secilin pjesëtar të rrjetit më të gjerë prej 45 personash të identifikuar nga institucionet e Kosovës, pa përjashtim.

Ministri rikujtoi se sulmi i 24 shtatorit 2023 nuk ishte një akt i izoluar, por një operacion i organizuar me mbështetje shtetërore nga Serbia, me synim cenimin e rendit kushtetues dhe aneksimin e një pjese të territorit të Kosovës.

Sipas tij, Republika e Kosovës atë ditë jo vetëm që përballoi terrorizmin, por edhe ndali një skenar të rrezikshëm për ndarje, ndërsa faktet dhe provat dokumentojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë të Serbisë.

Sveçla shtoi se strukturat kriminale dhe paramilitare në veri janë çmontuar dhe rendi kushtetues është mbrojtur, por Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për rolin e saj politik, financiar dhe logjistik në këtë agresion.

Ai u shpreh se dënimi nuk e kthen heroin Afrim Bunjaku, por është një hap drejt drejtësisë për sakrificën e tij dhe për dhimbjen që mbetet te familja, kolegët dhe qytetarët.

Në fund, Sveçla tha se drejtësia për Banjskën nuk përfundon me këtë vendim dhe se ajo përmbyllet vetëm kur të gjithë përgjegjësit të dalin para drejtësisë, “me në krye Milan Radoiçiqin”. /Kosova.info/


Go to TOP