Sadiku ironizon ministren e Energjetikës: Nuk e di dallimin mes gigawatt dhe terawatt

Deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku, ka reaguar me tone ironike ndaj ministres së Energjetikës, Artane Rizvanolli duke e akuzuar për mungesë njohurish bazike në fushën e energjisë.

Sadiku ka deklaruar se ministrja nuk e di dallimin mes gigawatt dhe terawatt, ndërsa sipas tij, ka tentuar ta “korrigjojë” publikisht duke përfunduar në situatë të pakëndshme.

Ai e ka krahasuar këtë me një situatë hipotetike, ku një ministër i Infrastrukturës do të ngatërronte kilometra me metra për gjatësinë e një autostrade duke e cilësuar këtë si shembull të qartë të mungesës së kompetencës.

Duke iu referuar të dhënave globale, Sadiku theksoi se qendrat e të dhënave në botë aktualisht shpenzojnë rreth 415 terawatt orë energji elektrike dhe se kjo shifër pritet të arrijë afërsisht 1000 terawatt deri në vitin 2030.

Në fund, ai e lidhi këtë çështje me situatën energjetike në vend duke përmendur çmimet e larta të energjisë dhe mbi 1 miliard euro të shpenzuara për importin e saj, si pasojë, sipas tij, e keqmenaxhimit dhe mungesës së ekspertizës në sektor. /Kosova.info/

Go to TOP