A mund të jetë Enver Hoxhaj presidenti i ardhshëm i Kosovës?

Në një moment të ndjeshëm politik për Kosovën, kur çështja e zgjedhjes së presidentit po kthehet në një test të pjekurisë institucionale dhe përgjegjësisë politike të subjekteve parlamentare, dështimi për të arritur një konsensus rreth një kandidature serioze jo vetëm që do të vazhdonte krizën politike, por do ta shtynte vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme. Ky duket të jetë një skenar tejet i padëshirueshëm madje potencialisht edhe destabilizues.

Rreziku i shkuarjes në zgjedhje nuk lidhet vetëm me kostot financiare apo lodhjen elektorale, por mbi të gjitha me mungesën e gatishmërisë së subjekteve politike për të hyrë në një proces të ri elektoral. Në një klimë të tillë, zgjedhjet do të ishin më shumë një arratisje nga përgjegjësia sesa një zgjidhje. Për më tepër, një cikël i ri zgjedhor mund të prodhojë sërish një konfigurim të ngjashëm politik, duke e zgjatur edhe më tej bllokadën institucionale.

Flitej per bisedime mes LDK dhe VV. Por arritja e numrave me LDK dukej që në fillim te jetë një sfidë. E në këtë kontekst, sipas burimeve të sigurta edhe para fillimit të bisedave me LDK, brenda VV emri i Enver Hoxhajt po përmendej gjithnjë e më shpesh si një figurë potenciale e matur dhe unifikuese dhe e dëshirueshme. Profili i tij ndërthur përvojën dhe dijen akademike me një karrierë dhe përvojë të gjatë politike në proceset kyçe të shtetndërtimit dhe shtetformimit të Kosovës. Si ish-ministër i Arsimit dhe i Jashtëm por edhe si Zëvendëskryeministër e Nënkryetar i Kuvendit dhe një nga figurat më të artikuluara në diplomacinë kosovare, Hoxhaj ka ndërtuar një kredibilitet që tejkalon kufijtë partiakë.

Sipas burimeve të sigurta brenda Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), ekziston një dakordancë e brendshme partisë që në rrethana të caktuara LVV mund të siguroj votat e saj për Enver Hoxhajn e PDKsë. Kjo lidhet jo vetëm me profilin e tij profesional dhe politik, por edhe me perceptimin se ai përfaqëson një figurë që mund të garantojë stabilitet institucional dhe përfaqësim dinjitoz të shtetit në arenën ndërkombëtare. E një mbështetje e tillë potenciale nga LVV për Hoxhajn për president, do të ishte një zhvillim i rëndësishëm politik duke sinjalizuar një pragmatizëm të ri dhe një vullnet për të shmangur krizat e panevojshme. Në vend që vendi të hyjë në një spirale zgjedhjesh, një marrëveshje rreth një propozimi dhe kandidature konsensuale si ajo e Hoxhajt do të mund të shërbente si një moment reflektimi dhe stabilizimi për skenën politike.

Në fund të fundit pyetja nuk është vetëm nëse Enver Hoxhaj mund të jetë presidenti i ardhshëm i Kosovës, por nëse klasa politike është e gatshme të vendosë interesin shtetëror mbi kalkulimet afatshkurtra partiake. Nëse përgjigjja është po, atëherë një zgjidhje e tillë nuk është vetëm e mundshme por edhe më se e domosdoshme për vendin.


Go to TOP