Përleshje mes tre personave në Ferizaj, njëri dorëzon armën pa leje
Një përleshje fizike mes tre personave është raportuar mëngjesin e sotëm në fshatin Doganaj të Ferizajt, ku njëri prej të dyshuarve ka dorëzuar edhe një armë zjarri pa leje.
Sipas njoftimit, rreth orës 07:50 është pranuar informata për rrahje, ndërsa njësitet kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes. Aty janë identifikuar tre persona të përfshirë: M.H. (47 vjeç), V.H. (43 vjeç) dhe A.H. (71 vjeç).
“Sipas hetimeve fillestare, incidenti ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje verbale lidhur me punime në afërsi të një prone. Si pasojë e përleshjes, të përfshirët kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë marrë trajtim mjekësor në QKMF-Ferizaj”, thuhet në komunikatën për medie.
Gjatë trajtimit të rastit, policia thekson se ka siguruar informacione se njëri nga të dyshuarit posedonte armë zjarri pa leje.
Më pas, personi me inicialet A.H. ka dorëzuar një pistoletë dhe 15 fishekë, të cilat janë sekuestruar.
“Me autorizim të prokurorit të shtetit, është iniciuar rast për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Rasti është në procedurë të rregullt hetimore”, thuhet tutje në komunikatë. /Kosova.info/
