Prishtina nderon dëshmorët
Përfaqësues të komunës së Prishtinës kanë bërë sot homazhe para shtatores së Zahir Pajaziti, në kuadër të nderimeve për dëshmorët e kësaj komune.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, tha se këto aktivitete janë një kujtesë e përhershme për sakrificën e atyre që kontribuuan për lirinë e vendit.
Rama: Dëshmorët kanë sakrifikuar çdogjë që sot ta kemi paqen
“Faleminderit sot që keni dalë këtu me na u bashkuar në nderimet tona vjetshme që i bëjmë për dëshmorët tanë, për heronjtë tanë, të cilët kanë sakrifikuar çdogjë që sot ta kemi paqen, ta kemi lirinë, ta kemi demokracinë. Jam këtu së bashku edhe me zotin Syla Vitia, i cili tash e dini që e kemi për herë të parë tash e katër vite zyrën e cila i përfaqëson organizatat e dalura nga lufta, edhe mundohemi që ta lartësojmë çdo vit e më shumë edhe këtë betejën e madhe, luftën e madhe që e kanë bërë edhe sakrificën e madhe që e kanë dhënë heronjtë tanë, dëshmorët tanë, jo vetëm në Prishtinë, por në të gjitha vendet e Kosovës e më gjerë“, tha Rama.
Ai shtoi se kjo ditë duhet të shërbejë edhe si moment reflektimi dhe festimi për paqen dhe lirinë.
Ndërkaq, kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Naser Pacolli, theksoi rëndësinë e përkujtimit të vazhdueshëm të dëshmorëve në të gjitha zonat ku ata ranë.
Pacolli: Komuna e Prishtinës ka gjashtëdhjetë e tetë dëshmorë
“Jemi këtu sot për të nderuar dëshmorët në komunën tonë, komunën e Prishtinës. Komuna e Prishtinës ka një numër prej gjashtëdhjetë e tetë dëshmorësh. Janë të pozicionuar në disa komplekse memoriale. Kështu që sot filluam në kompleksin memorial, varrezat e dëshmorëve në Prishtinë, sheshi “Zahir Pajaziti”, shtatorja e Zahir Pajazitit. Do të fillojmë me varrezat e dëshmorëve në të gjitha vendet e rënies së tyre dhe Makoc, varreza e të gjitha trevat ku përfaqësohen nga Komuna e Prishtinës. Sot është një ditë e veçantë, por është edhe krenare, sepse dëshmorët ndoshta kanë jetuar pak, por kanë lënë vepra shumë“, tha Pacolli.
Aktivitetet përkujtimore pritet të vazhdojnë edhe në lokacione të tjera në territorin e komunës duke përfshirë komplekset memoriale dhe vendet e rënies së dëshmorëve.
