Sadiku: Transformimi digjital ka mbetur në letra, Kosova larg modelit të Estonisë
Deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku, ka kritikuar ashpër ecurinë e transformimit digjital në Kosovë duke e cilësuar si një proces të mbetur në nivel burokratik dhe pa rezultate konkrete.
Ai rikujtoi se në nëntor të vitit 2022, Qeveria e Kosovës themeloi Komisionin për Transformim Digjital, me qëllim avancimin e shërbimeve për qytetarët dhe modernizimin e shtetit. Megjithatë, sipas tij, katër vite më vonë, rezultatet janë minimale.
Sadiku thekson se përtej disa shërbimeve të shtuara në platformën e-Kosova, nuk ka pasur zhvillime thelbësore në fusha kyçe si Cloud Computing, qendrat e të dhënave apo automatizimi i plotë i shërbimeve publike. Ai shton se vendi mbetet larg standardeve të shteteve të avancuara digjitale, si Estonia.
Sipas tij, problemi kryesor qëndron në mungesën e ndërveprueshmërisë mes institucioneve, ku qytetarët ende detyrohen të bartin dokumente nga një institucion në tjetrin, në vend që sistemet shtetërore të komunikojnë automatikisht mes vete.
Ai gjithashtu ngriti shqetësime për mungesën e infrastrukturës shtetërore si Government Cloud dhe për mungesën e një identiteti digjital funksional (e-ID), që do të mundësonte nënshkrime elektronike me vlerë ligjore dhe shërbime të avancuara online.
Sadiku kritikoi edhe qasjen institucionale ndaj resurseve njerëzore duke theksuar se pa ekspertë të mirëfilltë të IT-së dhe pa politika për të ndalur largimin e tyre, transformimi digjital mbetet i pamundur.
Në fund, ai theksoi se në një kohë kur vendet e zhvilluara po integrojnë inteligjencën artificiale në administratë, institucionet në Kosovë ende e konsiderojnë arritje digjitalizimin e formularëve në format PDF duke e quajtur këtë situatë “amatorizëm”. /Kosova.info/
