‘Shtëpia’ bën bashkë artistët në Bienalen e Vizatimit në Ferizaj
Bienalja e Vizatimit e ndërtuar mbi konceptin e shtëpisë si hapësirë fizike dhe simbolike, në edicionin e 7-të, sjellë një ndërthurrje të perspektivave artistike dhe qasjes kreative.
Artistët vendor dhe ndërkombëtar, përmes vizatimeve shprehin karakteristikat më thelbësore të drejtimit apo stilit që e kultivojnë gjatë krijimtarisë së tyre artistike. Kuratori i ekspozitës Nehat Beqiri ka përzgjedhur temën “Shtëpia” për këtë edicion, ku rreth 50 artistë kanë shpalosur veprat e tyre në frymën bashkëkohore.
Organizatori i Bienales së vizatimit, Jetullah Sylejmani është shprehur se “Shtëpia në këtë ekspozitë trajtohet në aspektin artistik, në dimensionin jo vetëm si objekt, por me konceptin si ambient social, emocional, ambient ku ka kujtime, histori, rrëfime etj.
Edicioni i 7-të i Bienales Ndërkombëtare të Vizatimit, synon të promovoj vizatimin bashkëkohor, ku artistët pjesëmarrës përmes veprave, kanë prezantuar qasjet e tyre kreative, të cilat veçohen për nga trajtimi i frymës ekspresive, surreale e deri tek ato abstrakte të koncepteve të ndryshme të artit modern.
Udhëheqësi i Galerisë së Arteve në Ferizaj, Skënder Bedriu tha se “Si bashkëorganizator të bienales, gjithmonë jemi kujdesur me profesionalizëm, që për cdo vit të ngritet niveli artistik, duke qenë se në çdo edicion ka pas prurje të reja”. Ai shtoi se është i kënaqur me interesimin e vizitorëve gjithnjë në rritje dhe tashmë kanë arritur publikun standard të galerisë.
Secili artistë shpërfaqë ndjenjat dhe botën shpirtërore, përmes linjave, ngjyrave, formave dhe raporteve të dritë hijeve. Për artisten Elvana Avdiu, koncepti i ekspozitës “Shtëpia”, në punimet e saj është ndjenjë, origjinë dhe histori. “Në veprën time, shtëpia nuk është si koncept vendbanimi, por vjen si ndjenjë, gjurmë, simbole ilire të fragmentuara, sikurse është edhe historia jonë e lashtë. Kam punuar me letër të ricikluar, që ngjan me gurë dhe materiale arkeologjike’, është shprehur artistja Elvana Avdiu.
Juria në përbërje prej: Edin Kapllani nga Mali i Zi, Ilir Kaso nga Shqipëria dhe Zeni Ballazhi nga Kosova, kanë përzgjedhur fituesit e 3 çmimeve kryesore të bienales që janë: Aleksandra Gieraga-Poloni, Blerim Tmava-Kosova dhe Genc Mulliqi-Shqipëri. Ekspozita është realizuar me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës së Kosovës dhe drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Ferizaj.


