Haziri: LDK në bisedime për Presidentin, mohon zërat për ndërrime pozicionesh

Nënkryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lutfi Haziri, ka bërë të ditur se partia dhe kryetari Lumir Abdixhiku janë aktualisht në bisedime për t’i dhënë vendit Presidentin e ri.

Përmes një deklarimi publik, Haziri ka hedhur poshtë raportimet në media për ndërrime të mundshme të pozicioneve politike duke i cilësuar ato si “absolutisht të pavërteta”.

Ai theksoi se LDK mbetet e përkushtuar ndaj ndërtimit të institucioneve funksionale dhe përfaqësuese duke e cilësuar partinë si “parti e shpresës dhe e besës”.

Sipas Hazirit, përvoja politike në vend ka dëshmuar se një parti e vetme apo një udhëheqës i vetëm nuk janë të mjaftueshëm për të arritur objektivat strategjike të Republikës së Kosovës duke nënvizuar nevojën për bashkëpunim më të gjerë politik. /Kosova.info/


Go to TOP