Halimi: Galeria e Arteve e Prishtinës po kthehet në pikë referimi për artistët

Drejtoresha për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, ka vlerësuar zhvillimet e fundit në Galeria e Arteve e Prishtinës duke theksuar se ky institucion po shndërrohet në një pikë të rëndësishme referimi për artistët më të mirë të vendit.

Ajo ka ndarë përshtypjet e saj nga ekspozita “Gjurmët e Grafikës”, e kuruar nga Genc Rezniqi, ku sipas saj nuk u prezantuan vetëm vepra arti, por edhe gjurmë të thella kuptimore.

“Gjurmë si dëshmi e pranisë, si kujtesë dhe si reflektim mbi atë që mbetet nga ne. Në një kohë të shpejtë, grafika na fton të ndalemi dhe të shohim përtej”, është shprehur Halimi.

Në këtë ekspozitë, artistët pjesëmarrës janë paraqitur si bartës të këtyre gjurmëve duke sjellë secili gjuhën e vet vizuale, përvojën dhe ndjeshmërinë personale. Sipas saj, ata nuk janë vetëm krijues të veprave, por edhe ndërmjetës të një tradite artistike që vazhdon të rishkruhet.

Halimi theksoi se përmes qasjeve të ndryshme, artistët kanë zgjeruar kuptimin e grafikës si praktikë artistike dhe si reflektim duke e ftuar publikun të lexojë jo vetëm imazhin, por edhe procesin dhe kohën që qëndron pas tij. /Kosova.info/


Go to TOP