Kryetarja Haxhiu kujton të rënët e Polacit dhe Abrisë së Epërme

Në përvjetorin e masakrës së Polacit, kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar 78 civilët dhe 8 dëshmorët që ranë në një nga ngjarjet më të dhimbshme të historisë sonë të afërt.

Kryetarja Haxhiu ka thënë se kjo plagë mbetet ende e hapur, pasi edhe sot ka të pagjetur, duke mbajtur gjallë dhimbjen dhe ankthin e familjeve të tyre.

“Kujtesa për ta nuk zbehet, ajo na obligon të mos harrojmë kurrë dhe të kërkojmë pa u ndalur drejtësi për krimet e kryera”, ka thënë kryetarja Haxhiu.

Kryetarja e Kuvendit ka kujtuar me respekt edhe betejën në Abri të Epërme në Drenicë, ku ranë heroikisht dëshmorët Xhevat Demaku, Bedri Demaku dhe Imer Shala, duke u bërë simbol i sakrificës dhe i qëndresës për lirinë e vendit.

“Kujtesa nuk është vetëm nderim por edhe përgjegjësi. Është zotim se e vërteta nuk do të zbehet dhe se drejtësia do të mbetet kërkesë e përhershme. Lavdi e përjetshme martirëve dhe dëshmorëve të kombit”, ka thënë kryetarja Albulena Haxhiu. /Kosova.info/

Go to TOP