Kurti “amniston” opozitën për Presidentin, Adriatik Kelmendi: Përgjegjësia bie mbi LVV-në

Gazetari Adriatik Kelmendi ka komentuar zhvillimet e fundit politike lidhur me zgjedhjen e Presidentit duke theksuar se kryeministri Albin Kurti po e zhvendos në mënyrë indirekte përgjegjësinë nga opozita te vetja dhe partia e tij.

Sipas Kelmendit, deklaratat e Kurtit se për zgjedhjen e Presidentit nevojiten së paku 84-85 vota, nënkuptojnë se votat e Lumir Abdixhiku dhe LDK-së nuk janë vendimtare, edhe nëse ata shprehin vullnet për të mbështetur një kandidat.

Ai vlerëson se me këtë qasje, Kurti po “amniston” jo vetëm LDK-në, por edhe Ramush Haradinaj dhe AAK-në duke mos i konsideruar votat e tyre si faktor përcaktues në proces.

Në këtë kontekst, sipas Kelmendit, barra e përgjegjësisë për zgjedhjen e Presidentit po i mbetet kryesisht Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa përmendet edhe roli i Bedri Hamza dhe PDK-së, si një faktor që mund të ndikojë në rrjedhën e zhvillimeve politike.

Në fund, ai thekson se nëse vendi shkon në zgjedhje të parakohshme për shkak të moszgjedhjes së Presidentit, përgjegjësia, sipas narrativës aktuale të krijuar nga vetë Kurti, do të bjerë mbi LVV-në, e jo mbi partitë opozitare. /Kosova.info/


Go to TOP