Kryetarët e Këshillave Lokalë në Prishtinë kërkojnë ndryshime ligjore për fuqizimin e rolit të tyre

Në Komunën e Prishtinës u mbajt një takim i Kryetarëve të Këshillave Lokalë, ku u diskutuan çështje me rëndësi për funksionimin dhe përfaqësimin e këtyre strukturave në nivel lokal.

Në këtë takim u caktuan edhe përfaqësuesit përgjegjës që do të adresojnë kërkesat dhe shqetësimet e kryetarëve pranë institucioneve përkatëse. Në mesin e tyre janë: Sadudin Hasani, Adem Sylejmani, Xhemail Luta, Isa Rexha, Bislim Syla dhe Sabedin Berisha.

Gjatë diskutimeve, u propozua inicimi i ndryshimit të kornizës ligjore që rregullon pozitën dhe funksionimin e Kryetarëve të Këshillave Lokalë. Propozimi u bazua në dispozitat e Ligjit për Kryeqytetin, me qëllim që të shqyrtohet mundësia e avancimit dhe përmirësimit të statusit të tyre.

Sipas pjesëmarrësve, ky hap synon fuqizimin e rolit të Këshillave Lokalë dhe rritjen e përfaqësimit të qytetarëve në nivel lokal duke e bërë bashkëpunimin me institucionet më efikas.

Në fund të takimit u vlerësua edhe angazhimi i Sektorit të Bashkësive Lokale në Kryeqytet, me në krye z. Donat Abazi, për përkushtimin e treguar në adresimin e kërkesave dhe çështjeve të ndryshme. /Kosova.info/


Go to TOP