Tragjedi në futbollin kosovar: Ndërron jetë veterani Liridon Gubetini gjatë ndeshjes
Futbolli kosovar është tronditur nga një ngjarje e rëndë, pasi veterani Liridon Gubetini ka ndërruar jetë në moshën 43-vjeçare, gjatë një ndeshjeje të Kupës ndërmjet KFV “Barileva” dhe KFV “Deçani”.
Sipas njoftimit të klubit, ngjarja tragjike ndodhi pas përfundimit të pjesës së parë, kur Gubetini humbi ndjenjat në fushë dhe, pavarësisht përpjekjeve, nuk arriti të mbijetojë.
Liridoni do të kujtohet si një njeri i jashtëzakonshëm, i respektuar dhe shumë i përkushtuar ndaj ekipit të veteranëve, ku ishte pjesë që nga dita e parë e themelimit. Kontributi i tij i vazhdueshëm dhe afërsia me bashkëlojtarët e bënë atë një figurë të dashur në komunitetin sportiv.
Në këto momente të vështira, klubi dhe komuniteti sportiv i shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjes Gubetini, miqve dhe të gjithë atyre që patën fatin ta njohin.
Kjo humbje ka lënë një boshllëk të madh në futbollin kosovar dhe më gjerë. Kujtimi për Liridon Gubetinin do të mbetet gjithmonë i gjallë. /Kosova.info/
