Rama: Fëmijët me autizëm meritojnë një qytet gjithëpërfshirës dhe të barabartë
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka marrë pjesë në aktivitetet e organizuara me rastin e Ditës Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin duke theksuar rëndësinë e ndërtimit të një shoqërie gjithëpërfshirëse për të gjithë fëmijët.
Ai u shpreh se fëmijët janë drita e qytetit dhe përgjegjësia më e madhe e institucioneve dhe shoqërisë. Aktivitetet përfshinë një marsh ndërgjegjësues dhe një ekspozitë në objektin e Komunës, ku përmes artit u prezantua bota dhe perspektiva e fëmijëve me autizëm.
Rama theksoi se këto ngjarje janë një thirrje për më shumë mirëkuptim, përkrahje dhe kujdes ndaj kësaj kategorie të ndjeshme të shoqërisë. Ai premtoi se Kryeqyteti do të vazhdojë të mbështesë me veprime konkrete duke krijuar hapësira më të hapura dhe mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët, pa përjashtim. /Kosova.info/
