Pula: Pa koordinim institucional, mbrojtja ndaj dhunës në familje mbetet vetëm formale
Koordinatorja për Rastet e Dhunës në Familje dhe prokurore në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, znj. Laura Pula ka marrë pjesë si paneliste në tryezën e organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, me temë: “Performanca dhe Mangësitë: Trajtimi Institucional i Dhunës në Familje në vitin 2025”.
Prokurorja Pula theksoi se prokuroria ka një rol të pazëvendësueshëm dhe se dhuna në familje kërkon bashkëpunim real ndërinstitucional: policinë, gjykatat, qendrat për punë sociale dhe mekanizmat mbështetës për viktimat. Znj. Pula shtoi se pa koordinim, mbrojtja mbetet formale dhe se vetëm me koordinim, ajo bëhet reale.
Gjithashtu, znj. Pula theksoi se sfida më e madhe nuk është mungesa e ligjeve sepse Kosova ka bazë ligjore të avancuar. Sfida e vërtetë është zbatimi konsekuent, reagimi i shpejtë dhe toleranca zero ndaj dhunës.
Prokurorja Pula tha se Prokuroria duhet të dërgojë një mesazh të qartë shoqërisë se
dhuna nuk tolerohet, viktima nuk është vetëm, dhe shteti reagon. “Ne nuk mund të ndryshojmë të kaluarën e viktimave, por mund të parandalojmë dhunën e ardhshme. Dhe pikërisht këtu fillon misioni ynë si prokurorë — jo vetëm të ndëshkojmë krimin, por të mbrojmë jetën, dinjitetin dhe sigurinë njerëzore”.
Në fund, u theksua se Prokurori i Shtetit mbetet i përkushtuar në adresimin e rasteve të dhunës në familje dhe atyre me bazë gjinore. /Kosova.info/
