Partitë shqiptare kundër bllokimit të segmentit Strugë-Qafë Thanë
Partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut reaguan sot ashpër për moslidhjen e Strugës me pikën kufitare Qafë Thanë me autostradën Kërçovë-Ohër.
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, thotë se ky është vazhdim i politikave nga e kaluara për të penguar lidhjet me Shqipërinë dhe Kosovën.
“Është mentalitet dhe logjikë e Nikolla Gruevskit dhe kjo që po ndodh sot s’është asgjë tjetër përveç një vazhdimësie e këtij mentaliteti dhe logjike! Asokohe Nikolla Gruevski me BDI, e sot Mickoski vazhdon me të njëjtën mendësi politike për të devijuar një korridor kaq të rëndësishëm”, deklaroi Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.
Nga BDI thonë se vendimi i qeverisë për të mos vazhduar projektin e autostradës Strugë–Qafë Thanë, duke u fshehur pas “kërkesave të UNESCO-s”, sipas tyre është një arsyetim i papranueshëm dhe një shmangie e qëllimshme e përgjegjësisë.
“Të përdorësh UNESCO-n si mbulesë për ndërprerjen e lidhjeve strategjike është e papranueshme. Të jesh në qeveri dhe ta pranosh këtë pa fjalë, është tradhti politike”, thonë nga BDI.
Nga koalicioni VLEN, Korridori 8 konsiderohet si një projekt me rëndësi të veçantë strategjike për vendin dhe rajonin.
“Sa i përket segmentit Trebenishtë – Qafë Thanë, duhet thënë se në fazën fillestare të projektimit nuk është marrë mendim nga UNESCO, pavarësisht ndjeshmërisë së zonës. Institucionet po punojnë në koordinim me UNESCO-n për të gjetur zgjidhjen më të përshtatshme, pa rrezikuar standardet ndërkombëtare dhe statusin e vendit”, thuhet në reagimin e koalicionit VLEN.
Ditë më parë, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, tha se segmenti nga Trebenishta deri te kufiri me Shqipërinë, që lidh Strugën me autostradën Kërçovë-Ohër, me shumë gjasë nuk do të ndërtohet dhe se kjo varej nga UNESCO, për shkak se Liqeni i Ohrit bie në territor të mbrojtur.
