Selektori Ostlund: Grup i vështirë, por do të luftojmë deri në fund

Kosova do të jetë në grup me Hungarinë, Ishujt Faroe dhe Malin e Zi në grupin kualifikues për Euro 2028.

Shorti është tërhequr të enjten mbrëma në Lisbonë të Portugalisë.

Përzgjedhësi i Kosovës në hendboll, Jesper Ostlund, e ka vlerësuar grupin si shumë të vështirë. Por ai ka premtuar luftë deri në fund me synim për kualifikim në Evropianin e ardhshëm të hendbollit.

“Short i vështirë për ne këtë herë. Hungaria është top-Kombëtare. Mali i Zi është i njohur si vend i hendbollit, ndërsa Ishujt Faroe kanë top-lojtarë si Oli Mittun e Elias Skipagotu. Do të jemi autsajderë në këtë grup, por do të luftojmë dhe do të shfrytëzojmë shanset që do t’i kemi”, ka thënë suedezi Ostlund.

Fitorja në Prishtinë ndaj Bosnjë-Hercegovinës ka dhënë sinjale të mira për Ostlundin.

“Në ndeshjen e dytë me Bosnjë-Hercegovinën kemi treguar se kur luajmë mirë mund të mposhtim Kombëtare cilësore”, ka shtuar Ostlund.

Kosova e luan ndeshjen e parë më 4 apo 5 nëntor në udhëtim ndaj Ishujve Faroe. Më 7 apo 8 nëntor e presim Hungarinë. /Kosova.info/

Go to TOP