Demhasaj kërkon transparencë për financimin e ekspozitës: Thirrje publike opozitës për sqarime

Analisti Arton Demhasaj u ka bërë thirrje publike shefave të grupeve parlamentare të opozitës që të kërkojnë sqarime lidhur me financimin dhe organizimin e një ekspozite të fundit, e cila ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik.

Në adresimin e tij, Demhasaj u është drejtuar përfaqësuesve të opozitës, përkatësisht Arian Tahiri nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Jehona Lushaku-Sadriu nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), si dhe Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Ai ka kërkuar që këta të fundit të ndërmarrin hapa konkretë institucionalë në funksion të transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve.

Sipas kërkesës së Demhasajt, opozita duhet t’i drejtohet me një shkresë zyrtare Kryetares së Kuvendit për të kërkuar sqarim të plotë mbi shumën e mjeteve financiare të ndara për ekspozitën në fjalë.

Po ashtu, ai ka kërkuar që të bëhen publike data e shpalljes së thirrjes për aplikim dhe kriteret mbi të cilat është bërë përzgjedhja e përfituesve.

Në mesin e kërkesave është edhe publikimi i numrit të organizatave që kanë aplikuar, si dhe sqarimi se cili institucion apo komision ka qenë përgjegjës për përzgjedhjen.

Demhasaj ka theksuar gjithashtu nevojën që të publikohen emrat e organizatave të refuzuara dhe arsyet konkrete të refuzimit duke përfshirë edhe shpjegimin pse fondet janë ndarë për përfituesit aktualë.

“Transparenca mbi përdorimin e taksave tona është thelbësore, veçanërisht kur ato lidhen me çështje të ndjeshme që prekin historinë dhe kujtesën kolektive të vendit tonë”, ka theksuar ai.

Kjo kërkesë vjen në një kohë kur debati publik mbi menaxhimin e fondeve dhe trajtimin e temave të luftës dhe kujtesës historike po vazhdon të jetë i ndjeshëm në vend. /Kosova.info/


Go to TOP