Nesër mblidhet Kryesia e Kuvendit pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese
Pas publikimit të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mblidhet nesët në orën 11:00, për të shqyrtuar çështje që lidhen me organizimin e punës së Kuvendit dhe përgatitjen e seancës së ardhshme plenare.
Në rend dite është paraparë miratimi i procesverbalit të mbledhjes së mëparshme të Kryesisë, si dhe propozimi i rendit të ditës për seancën e ardhshme plenare.
Në seancën plenare pritet të shqyrtohen disa projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, përfshirë ato për arsimin e lartë në Ballkanin Perëndimor, programet IPA me Bashkimin Evropian, projektin e energjisë diellore fotovoltaike në KEK, efiçencën e energjisë në ndërtesa publike, rrugën me shpejtësi të lartë Prishtinë-Mitrovicë, si dhe impiantin për trajtimin e ujërave të zeza në Podujevë.
Sipas njoftimit të Kuvendit, në rend dite janë edhe formimi i disa komisioneve ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave dhe Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, si dhe propozimi i Grupit Parlamentar të Listës Serbe për emërimin e deputetit Branislav Nikoliq në komisione parlamentare.
Kryesia do të shqyrtojë edhe një sërë propozimesh dhe kërkesash, përfshirë përzgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, kërkesën e ish-deputetit Fadil Gashi për pagesën e pagës kalimtare, mbulimin e shpenzimeve për aktivitete të ndryshme, si dhe procedimin e nismës legjislative të qytetarëve për hartimin e “Projektligjit për Parandalim të Vetëvrasjes”.
