Ku ishin këta zëra më herët?

Shkruan: Ismet HAJRULLAHU

”Vdekje zgjedhjeve, rroftë pazari!”

Shumë njerëz në Kosovë e kanë ngritur këtë pyetje, pse disa intelektualë, politikanë apo figura publike flasin vetëm tani, kur kriza është bërë e dukshme, ndërkohë që për vite të tëra kanë heshtur ose madje kanë përfituar nga sistemi i amullt dhe pazaret politike? Ku ishin ata kur pasuria shtetërore dhe private po shkatërrohej, kur tenderët shpërndaheshin si plaçkë, kur shteti trajtohej si pronë private e partive? Heshtja e gjatë nuk është neutralitet, por është bashkëfajësi, dhe kur dikush flet vetëm kur i prek interesin e vet, reagimi duket si oportunizëm…

Në rastin e Hysamedin Ferajt, ai ka qenë pjesë e Vetëvendosjes prej kohësh… Shpesh ka folur në mënyrë teorike e filozofike, por jo për problemet konkrete të shtetit. Tani po thotë se Kushtetuta ka “difekte”. Por pse nuk e tha këtë më herët? Pse nuk u ngritën zërat kur bllokadat politike ishin të dukshme edhe në vitet e kaluara? A mos atëherë i shkonte për shtati amullia? A mos heshtja ishte më e leverdishme sesa përballja me realitetin?

Edhe për Albin Kurtin mund të thuhet e njëjta gjë. Kur ishte në opozitë, e përdorte Kushtetutën si mjet për të sfiduar pushtetin. Tani që është në pozitë, e sheh si pengesë.

Ky ndryshim tregon se ligji shihet sipas interesit të momentit, e jo si parim i qëndrueshëm. Ligji nuk është më instrument i barabartë për të gjithë, por vegël që përdoret sipas nevojës. Kjo sjellje e bën sistemin politik të duket i paqëndrueshëm dhe i varur nga kalkulimet e liderëve.

Problemi nuk është vetëm tek ligji apo tek Kushtetuta, por tek kultura politike. Një shoqëri demokratike nuk mund të funksionojë vetëm me ligje, pa kulturë demokratike. Aty ku sundon ligji i pazarit mes liderëve, nuk funksionon ligji i zgjedhjeve. Demokracia, si parim i të mirës së përgjithshme, zëvendësohet nga tregu i interesave private. “Vdekje zgjedhjeve, rroftë pazari!” ,kjo duket të jetë motoja e klasës politike, e cila e sheh shkathtësinë negociuese si virtyt, ndërkohë që qytetarët mbeten spektatorë të një pazari të pafund.

Ligjet mund të përmirësohen, Kushtetuta mund të rishikohet, por pa një kulturë demokratike të rrënjosur, çdo reformë mbetet e brishtë. Realisht,q ytetarët duhet të kërkojnë llogari nga liderët, e të mos pranojnë pazaret si normë dhe të insistojnë në transparencë e përgjegjësi. Vetëm atëherë kur shoqëria të mos e pranojë më pazarin si mënyrë të vetme të funksionimit politik, mund të shpresohet për një sistem më të drejtë dhe më funksional.

Kriza aktuale është vetëm pasqyrim i një problemi më të thellë, i mungesës se kulturës demokratike!

Pa një ndryshim të vërtetë në mentalitetin politik, çdo zgjidhje ligjore do të jetë e përkohshme. Demokracia  është  kulturë e respekt për interesin e përgjithshëm. Vetëm kur kjo kulturë të bëhet pjesë e jetës politike, mund të shpresohet për një shtet që nuk bllokohet nga pazaret, por udhëhiqet nga parimet. Vetëm kur qytetarët të mos pranojnë më pazaret si normë, demokracia do të marrë frymë lirisht!


Go to TOP