Reshje shiu e rënie temperaturash, paralajmërohen edhe ngrica 

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sipas parashikimeve të fundit, vendi ynë do të përballet me kushte të paqëndrueshme atmosferike gjatë ditëve në vijim, duke përfshirë reshje shiu, ulje temperaturash dhe rrezik për ngrica pranverore.

Sipas njoftimit, gjatë orëve të vona të së enjtes priten reshje lokale shiu si pasojë e depërtimit të një mase ajrore më të lagësht dhe jostabile mbi rajon. Këto reshje do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së premte.

Ndërsa fundjava parashihet me mot të paqëndrueshëm dhe reshje të herëpashershme shiu. Ndërkohë, në zonat malore dhe në lartësi më të mëdha mbidetare, reshjet do të shndërrohen në borë për shkak të rënies së temperaturave.

Temperaturat minimalet do të lëvizin nga 1°C deri në 4°C, ndërsa maksimalet nga 6°C deri në 12°C.

Nga dita e hënë pritet një stabilizim relativ i motit, me kushte mesatarisht të vranëta dhe intervale me diell. Megjithatë, në disa zona do të ketë zhvillime lokale të vranësirave të shoqëruara me riga të dobëta shiu.

Në pjesën e dytë të javës së ardhshme, sidomos në viset malore, pritet rikthim i reshjeve të borës për shkak të depërtimit të masave më të ftohta ajrore nga veriu dhe verilindja.

IHMK ka bërë edhe një  paralajmërim agrometeorologjik.

“Nga data 31 mars deri më 4–5 prill pritet rënie e temperaturave minimale në vlera negative gjatë orëve të hershme të mëngjesit, duke krijuar kushte për ngrica pranverore (frost). Këto kushte mund të shkaktojnë dëme në sektorin e bujqësisë, veçanërisht tek kulturat që ndodhen në fazën e lulëzimit”,thuhet në njoftim .

Instituti ka dhënë edhe disa rekomandime për fermerët.
“ Krijimi i shtresës mbrojtëse me tym për të reduktuar ftohjen gjatë natës, monitorimi i vazhdueshëm i temperaturave dhe parashikimeve, ndërmarrja e masave shtesë mbrojtëse bazuar në përvojën praktike”, thuhet në njoftim.

Tutje theksohet se zbatimi në kohë i këtyre masave pritet të ndihmojë në zvogëlimin e dëmeve dhe ruajtjen e prodhimit bujqësor.


Go to TOP