Sadiku: Kushtetuesja konfirmon dy afate për Presidentin – dekreti pa pasoja juridike
Politologu Arbnor Sadiku ka dhënë interpretimin e tij mbi vendimin e Gjykata Kushtetuese e Kosovës lidhur me afatet për zgjedhjen e Presidentit dhe efektet juridike të dekretit.
Sipas Sadikut, Gjykata ka konstatuar se të dyja qëndrimet janë juridikisht të bazuara: obligimi që Presidenti të zgjidhet 30 ditë para përfundimit të mandatit, si dhe kërkesa që procedura të nisë 60 ditë më herët.
Ai thekson se thelbi i vendimit lidhet me garantimin e afatit të plotë 60-ditor për Kuvendin. Duke qenë se Kuvendi është konstituuar me vonesë, më 11 shkurt, konsiderohet se procedura ka nisur pikërisht në këtë datë duke lënë në dispozicion edhe 34 ditë për përmbylljen e procesit.
Sa i përket rolit të Presidentes, Sadiku nënvizon se Gjykata nuk ka konstatuar shkelje kushtetuese, por ka vlerësuar se dekreti i saj nuk prodhon pasoja juridike.
Ky interpretim, sipas tij, qartëson dilemat procedurale dhe vendos një standard të rëndësishëm për situata të ngjashme në të ardhmen. /Kosova.info/
