Kabashi: Kurti i kushtoi Kosovës mbi 600 milionë euro dhe e la të izoluar

Anëtari i LDK-së, Festim Kabashi, ka kritikuar ashpër qeverisjen e kryeministrit Albin Kurti duke e akuzuar për dëme të mëdha ekonomike dhe politike ndaj vendit gjatë tri viteve të fundit.

Sipas Kabashit, politikat e ndjekura nga Kurti i kanë shkaktuar Kosovës mbi 600 milionë euro humbje, ndërsa kanë lëkundur raportet me partnerët strategjikë dhe kanë çuar drejt izolimit ndërkombëtar.

Ai theksoi se gjatë kësaj periudhe janë humbur dhjetëra projekte dhe mundësi bashkëpunimi duke ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe perspektivën e vendit.

Kabashi shtoi se, edhe pse Bashkimi Evropian ka vendosur të heqë sanksionet ndaj Kosovës, dëmi i shkaktuar sipas tij mbetet i madh dhe me pasoja afatgjata.

“Pra, përveç të varfër e të vjedhur, jemi edhe të mashtruar”, ka deklaruar Kabashi duke akuzuar qeverinë për dështim në menaxhimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ekonomisë së vendit. /Kosova.info/


Go to TOP