Barcelona shkatërron Sevillën, Raphinha shënon het-trik
Barcelona ka arritur fitore bindëse 5-2 ndaj Sevillës, duke ruajtur epërsinë prej katër pikësh në krye të La Liga.
Ylli i ndeshjes ishte braziliani Raphinha, i cili realizoi het-trik dhe udhëhoqi Barcelonën drejt një triumfi të rëndësishëm në “Camp Nou”.
Ndeshja u zhbllokua në minutën e tetë, kur Joao Cancelo u rrëzua në zonë dhe Raphinha realizoi nga pika e bardhë me një “Panenka” të bukur. Brazilianit iu dha mundësia të shënonte sërish nga penalltia pak minuta më vonë, pasi Jose Angel Carmona preku topin me dorë në zonë, dhe ai nuk gaboi për 2-0.
Barcelona vazhdoi dominimin dhe në minutën e 30-të Dani Olmo realizoi për 3-0 pas një kundërsulmi të shpejtë. Në fund të pjesës së parë, Sevilla ngushtoi diferencën falë golit të Oso.
Në pjesën e dytë, katalanasit rikthyen kontrollin e plotë të lojës. Vetëm gjashtë minuta pas rifillimit, zëvendësuesi Fermin Lopez asistoi për Raphinhën, i cili kompletoi het-trikun e tij, me topin që devijoi edhe nga Nemanja Gudelj.
Pak më vonë, Cancelo realizoi golin e pestë për Barcelonën pas një aksioni individual të bukur, duke vulosur fitoren e thellë të vendasve. Në minutat e fundit, Djibril Sow shënoi golin e dytë për Sevillen, që shërbeu vetëm për statistikë.
Me këtë sukses, Barcelona regjistroi fitoren e 15-të radhazi në shtëpi, serinë më të mirë që nga viti 2019, ndërsa vazhdon të mbetet e pamposhtur në përballjet ndaj Sevillës në shtëpi për 23 ndeshje radhazi.
