Zulfaj: Strukturat paralele të Serbisë u mbyllën gjatë mandatit të Qeverisë Kurti

Këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Jeton Zulfaj, ka deklaruar se strukturat paralele të Serbisë që kanë funksionuar për rreth dy dekada në Kosovë janë mbyllur gjatë mandatit të Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti.

Përmes një reagimi publik, Zulfaj tha se këto struktura kanë vepruar për 20 vite në Kosovë, përfshirë edhe 12 vite pas shpalljes së pavarësisë, ndërsa sipas tij ato janë mbyllur vetëm gjatë mandatit aktual qeveritar.

Ai njoftoi se tani ka nisur procesi i integrimit të sektorëve të arsimit dhe shëndetësisë në sistemin institucional të Republikës së Kosovës.

“Strukturat paralele të Serbisë që funksionuan për 20 vite në Kosovë, përfshirë 12 vite pas pavarësisë, u mbyllën në një mandat të Qeverisë Kurti. Tani ka nisur procesi i integrimit të arsimit dhe shëndetësisë në sistemin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Zulfaj.

Sipas tij, ky proces do të fillojë nga dita e nesërme përmes evidentimit të institucioneve dhe stafit, me qëllim legalizimin dhe përfshirjen e tyre të plotë në sistemin ligjor të Kosovës.

Në reagimin e tij, Zulfaj ka kritikuar edhe ata që, sipas tij, për vite me radhë kanë ruajtur status quo-në e funksionimit të strukturave paralele.

“E ata që për 20 vite ruajtën status quo-në e strukturave paralele, le t’i ruajnë edhe statuset nga dje dhe sot. Do t’u duhen më vonë”, ka shtuar ai. /Kosova.info/


Go to TOP