Muharremi: Kurti dhe LVV po bëjnë fshehtas atë që dikur e quanin tradhti
Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit në dialogun Kosovë–Serbi duke akuzuar kryeministrin Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje për standarde të dyfishta në raport me procesin e negociatave.
Përmes një reagimi publik, Muharremi ka thënë se sot Kurti dhe LVV po negociojnë marrëveshje me Serbinë larg syve të publikut dhe po bëjnë koncesione në dialog për komunitetin serb, gjëra për të cilat sipas tij për vite të tëra kanë akuzuar të tjerët si tradhtarë.
“Janë saktësisht këto gjëra që ata me vite i kanë akuzuar të tjerët si tradhtarë, ndërsa sot po i bëjnë vetë”, ka shkruar Muharremi.
Ai ka kërkuar nga qeveria që të kërkojë falje qytetarëve për, siç e ka quajtur ai, “spektaklin politik” të viteve të kaluara duke shtuar se sipas tij e gjithë kjo ka pasur për qëllim vetëm ardhjen në pushtet.
Muharremi ka përmendur gjithashtu edhe çështje të tjera që, sipas tij, lidhen me qeverisjen aktuale, si kapja e bordeve publike dhe institucioneve, tenderët njëburimorë dhe abuzimet me buxhetin e shtetit për qëllime zgjedhore.
Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri Kurti kanë shkelur shumicën e parimeve dhe premtimeve që u kanë bërë qytetarëve duke shtuar se sot duken si çdo parti tjetër e zakonshme në rajon.
“Ironia më e madhe është se sot po duken edhe më keq se ata që i kanë kritikuar, sepse për vite kanë premtuar dhe kanë luftuar pikërisht kundër këtyre fenomeneve”, ka theksuar Muharremi. /Kosova.info/
