Ambasadorët e Gjermanisë dhe Francës mirëpresin marrëveshjen për zbatimin e Ligjit për të Huajt në Kosovë
Ambasadorët e Gjermanisë dhe Francës në Kosovë kanë mirëpritur zhvillimet e fundit lidhur me zbatimin e Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjete, duke e vlerësuar si hap pozitiv marrëveshjen e arritur për mënyrën e zbatimit të tyre.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, përmes një postimi në rrjetet sociale theksoi rëndësinë e arritjes së një pajtimi për zbatimin gradual të këtyre dy ligjeve dhe për sigurimin e dokumenteve të nevojshme për qytetarët.
“Mirë që u arrit pajtimi për mënyrën e zbatimit të Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjete në Kosovë. Sigurimi i lejeve të qëndrimit dhe punës për punëtorët dhe studentët, shmangia e ndërprerjes së shërbimeve shëndetësore dhe arsimore, si dhe gjetja e zgjidhjeve praktike për lëshimin e dokumenteve për të gjithë qytetarët e Kosovës janë çështje të rëndësishme. Ndërtimi mbi këtë progres do të jetë kyç”, ka shkruar ai.
Edhe ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka përshëndetur zhvillimet që erdhën mëngjesin e sotëm lidhur me Ligjin për të Huajt, i cili pritet të hyjë në fuqi nga nesër.
“E mirëpres njoftimin e përbashkët nga Peter Sørensen, Aivo Orav dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Vullneti i mirë i të gjitha palëve ka bërë të mundur gjetjen e zgjidhjeve konkrete. Është thelbësore që veprimet e ndërmarra të mos kenë një ndikim negativ në kushtet e jetesës së komunitetit serb të Kosovës. E përgëzoj rolin proaktiv dhe shumë pozitiv të Bashkimi Evropian”, ka shkruar Guerot në një postim në rrjetin social X. /Kosova.info/
