Sipas interpretimit të gazetarit Fitim Çeku: Kosova drejt zgjedhjeve pas mesnatës, nuk u votua Presidenti
Gazetari Fitim Çeku ka reaguar lidhur me situatën e krijuar rreth zgjedhjes së Presidentit të Republika e Kosovës duke thënë se Kushtetuta e përcakton qartë procedurën dhe afatet për këtë proces.
Sipas Çekut, Kushtetuta parasheh se zgjedhja e Presidentit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Po ashtu, në dy votimet e para kërkohen dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.
Ai thekson se nëse edhe në votimin e tretë asnjë kandidat nuk zgjidhet President, atëherë shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Megjithatë, sipas tij, në situatën aktuale votimi për President nuk ka filluar fare për shkak të mungesës së kuorumit, çka sipas interpretimit të tij e rikthen situatën te neni që përcakton afatin 30-ditor për zgjedhjen e Presidentit.
“Në këtë rast votimi nuk filloi fare shkaku i moskuorumit, prandaj vlen neni që thotë se zgjedhja e Presidentit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Kjo do të thotë se vendi shkon në zgjedhje automatikisht sonte pas orës 00:00”, ka shkruar Çeku. /Kosova.info/
