Kelmendi: Pse s’u bënë më herët ndryshimet për zgjedhjen direkt të Presidentit?

Gazetari dhe analisti Adriatik Kelmendi ka reaguar lidhur me propozimet për ndryshime kushtetuese që do të mundësonin zgjedhjen e Presidentit/es drejtpërdrejt nga populli duke ngritur pikëpyetje për kohën dhe motivet e procedimit të tyre.

“Këto ndryshimet e propozuara për ta mundësuar zgjedhjen e Presidentit direkt nga populli. Pse nuk janë bërë deri tash? Çka ndryshon procedimi i tyre tash?”, ka shkruar ai duke ironizuar situatën politike me krahasimin: “House of Cards, sezoni më i ri – vetëm në (Netflix, jo) Kosovë!”.

Duke iu referuar Nenit 144 të Kushtetutës, Kelmendi ka rikujtuar procedurën e qartë për amendamentim: propozimi mund të bëhet nga Qeveria, Presidenti ose një e katërta e deputetëve; miratimi kërkon shumicë prej dy të tretash (2/3) të të gjithë deputetëve, përfshirë edhe dy të tretat e deputetëve të komuniteteve joshumicë.

Po ashtu, çdo amendament duhet t’i dërgohet paraprakisht Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës për vlerësim nëse cenon të drejtat dhe liritë themelore të përcaktuara në Kapitullin II të Kushtetutës.

Sipas tij, procedimi i këtyre ndryshimeve në këtë fazë të krizës politike ngre dyshime për seriozitetin dhe qëndrueshmërinë e nismës duke lënë të kuptohet se dinamika aktuale më shumë i ngjan një manovre politike sesa një reforme të mirëfilltë kushtetuese. /Kosova.info/


Go to TOP