Kryeparlamentarja e mbështet kërkesën e Osmanit
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se ka pranuar amendamentet kushtetuese të propozuara nga Presidentja Vjosa Osmani, të cilat parashohin që Presidenti/Presidentja e Republikës së Kosovës të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli.
Sipas Haxhiut, ky ndryshim synon të eliminojë ngërçet politike që kanë penguar funksionimin normal të institucioneve dhe që, në raste të caktuara, kanë rrezikuar stabilitetin institucional të vendit.
Ajo theksoi se zgjedhja e Presidentit nga qytetarët do të rriste legjitimitetin demokratik të këtij posti dhe do të shmangte bllokadat parlamentare që kanë shoqëruar proceset e mëhershme të zgjedhjes në Kuvend.
Kryetarja e Kuvendit po ashtu i është bashkuar thirrjes së Presidentes Osmani për votimin e këtyre amendamenteve kushtetuese, duke ftuar deputetët që t’i mbështesin ato në funksion të stabilitetit dhe funksionimit të qëndrueshëm të institucioneve të Republikës. /Kosova.info/
