Hoti: Kurti po e përsërit skenarin e vitit 2020, po e çon vendin drejt zgjedhjeve për kalkulime politike

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se po e përsërit skenarin e vitit 2020 duke e çuar vendin drejt një krize të re politike dhe zgjedhjeve të parakohshme.

Sipas Hotit, ashtu si në vitin 2020 kur u prish koalicioni me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe u rrëzua qeveria, edhe sot Kurti, me veprime të njëanshme dhe pa marrëveshje politike, po rrezikon stabilitetin institucional.

Ai theksoi se kandidati për President nuk i ka votat e mjaftueshme dhe se mungesa e konsensusit për çështje madhore, që kërkojnë 2/3 e votave të deputetëve, po e thellon krizën.

“Skenari i Kurtit është i njëjtë si gjithmonë: polarizim, imponim dhe pastaj zgjedhje. Kjo nuk ka të bëjë me interesa të qytetarëve, por me kalkulime të ngushta politike”, ka deklaruar Hoti.

Sipas tij, Kosova ka nevojë për udhëheqje të përgjegjshme, konsensus për çështje madhore dhe stabilitet institucional, ndërsa faturën e veprimeve të papërgjegjshme, siç u shpreh ai, e paguajnë qytetarët dhe shteti i Kosovës. /Kosova.info/


Go to TOP