Peci: Mbështetja ndaj regjimit iranian, alarm për shoqërinë tonë
Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Lulzim Peci, ka reaguar ashpër ndaj asaj që e cilëson si përkrahje direkte apo indirekte të disa shqipfolësve ndaj regjimit iranian, në kontekstin e përplasjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraelin.
Sipas Pecit, përkrahja e establishmentit iranian – të cilin e përshkruan si mizor dhe përgjegjës për krime të shumta ndaj popullatës së vet – tregon se “diçka thellësisht është kalbur në mes nesh”. Ai vlerëson se kjo qasje përbën devijim serioz nga orientimi perëndimor dhe demokratik i shoqërisë kosovare.
Peci ka shtuar se shqipfolësit që mbështesin regjimin iranian mund të gjejnë aleatë në rajon vetëm tek, siç i quan ai, “ekstremistët naivë serbë” duke përmendur edhe pretendimet për dërgimin e koordinatave të bazës ushtarake Bondsteel drejt Iranit.
Në fund, ai ka bërë thirrje për ndërprerjen urgjente të normalizimit të ekstremizmit në diskursin publik duke theksuar se një shtet i sigurt dhe një shoqëri demokratike nuk mund të ndërtohen mbi tolerimin e ideologjive radikale. /Kosova.info/
