Mbi 400 deponi ilegale në Kosovë, alarm për rrezik të shëndetit publik

Ministria e Mjedisit ka njoftuar se prioritet gjatë këtij mandati do ta kenë hartimin dhe zbatimin e 6 projektligjeve të cilat do të ndikojnë në mbrojtjen e mjedisit dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve. Njohës të fushës thonë se gjendja në mjedis vazhdon të jetë e rëndë nga deponitë ilegale të mbeturinave. Po ashtu, në mungesë të një fabrikoje për trajtimin e mbetjeve shtazore, kafshët e ngordhura e nënproduktet e tyre shpesh herë hidhen vend e pa vend, duke rrezikuar shëndetin publik.

Shishe të qelqit, mbetje ushqimore e gjësende të tjera janë ngado. Si rrjedhojë qytetarët mbeten të ekspozuar ndaj erës së rëndë e rrezikut për sëmundje infektive. Gjendje pothuajse e njëjtë, ose edhe më e rënduar, paraqitet edhe nëpër qytete të tjera të vendit.

Egzona Shala, drejtoreshë Ekzekutive në organizatën mjedisore EcoZ tha se “sfida më e madhe e qytyetarëve nëse kanë me e renovu një shtëpi është ku me i vendos mbeturinat e vëllimshme”.

“ Në mungesë të informatave dhe hapësirave, ata e gjejnë mënyrën më të lehtë. E mënyra më e lehtë nëse shkon pa ndëshku krijohet si shprehi e cila po e shohim që po na mbizotëro”, tha ajo.

Për të përmirësuar cilësinë e jetës dhe për të mbrojtur mjedisin, ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli, tashmë ka radhitur prioritetet e kornizës ligjore. Në mesin e 6 projektligjeve, zë vend edhe ai për mbeturinat, mbrojtjen e mjedisit dhe të natyrës.

“Dy prej projektligjeve që janë përmendur nga ministrja janë dy kryesore për mjedis të cilat ne kemi parë që ka pasur mangësi brenda e tyre dhe kuptohet që nevojitet përmirësimi i tyre. Një ndër to është që ende në Kosovë nuk mundet me u largu një objekt që edhe pse është ndotës i mjedisit. E kemi shumë objekte, duke filluar nga hidrocentralet që janë ilegale në parqe kombëtare, shtëpi të ndërtuara rreth lumenjve që janë dëmtuese”, tha Shala.

Pavarësisht përpjekjeve për pastrim dhe vetëdijesim publik, deponitë ilegale dhe mungesa e riciklimit me vite të tëra kanë rënduar gjendjen në mjedis.

“Dikun rreth 500 mijë ton deponohen, të gjitha shkojnë në deponi të përziera që është një gabim i madh se janë stërmbushur deponitë e gjendja është shumë e keqe por 10 deri 20 % të tyrë shpërndahen nëpër ambiente ku njerëzit jetojnë ne po i shohim problemet me vërshime e sa mbeturina janë mbledh në lumenj e liqene”, pohoi Ilir Morina, ambientalit.

Mbi 400 deponi ilegale janë identifikuar në vend vetëm vitin e kaluar. Ndërkaq, Kosova nuk ka një fabrikë për trajtimin e mbetjeve shtazore, të cilat shpesh hidhen në lumenj e hapësira ku jetojnë qytetarët. Objekti për trajtimin e tyre ishte ndërtuar në Drenas, megjithatë vazhdon të jetë jofunksional.


Go to TOP