Rama: Ekspozita për Selanikun forcon bashkëpunimin urban mes Kryeqytetit dhe Selanik
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka vlerësuar transformimin e hapësirave publike si një nga shtyllat kryesore të zhvillimit modern urban dhe një pikë takimi mes qyteteve që ndajnë vizion të përbashkët për të ardhmen.
Në kuadër të këtij vizioni, në Kryeqytet u hap ekspozita “Selaniku në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX”, e cila solli fotografi origjinale që dëshmojnë rrëfime të vjetra urbane dhe jetën e përditshme të qytetit. Përmes pamjeve historike, ekspozita ofroi një pasqyrë të çmuar mbi evolucionin e hapësirës publike dhe identitetit qytetar ndër vite.
Sipas Ramës, ruajtja e trashëgimisë dhe integrimi i saj në planifikimin bashkëkohor janë elemente kyçe për ndërtimin e qyteteve funksionale, të qëndrueshme dhe me identitet të qartë.
Kjo ngjarje shënon gjithashtu një hap përpara në shkëmbimin e përvojave ndërmjet Prishtinës dhe Selanikut në fushën e zhvillimit urban, planifikimit hapësinor dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore duke forcuar bashkëpunimin ndërqytetar dhe aplikimin e praktikave më të mira evropiane në menaxhimin e hapësirave publike. /Kosova.info/
