Shoqëria civile thirrje partive: Konsensus për presidentin, jo zgjedhje të parakohshme

Dhjetë organizata të shoqërisë civile u kanë drejtuar letër partive parlamentare, liderëve dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Në reagimin publik, ato paralajmërojnë rrezikun e zgjedhjeve të reja për shkak të mungesës së marrëveshjes për presidentin.

“Konsensusi për zgjedhjen e Presidentit/es është domosdoshmëri për stabilitetin institucional”, thuhet në letër.

Sipas tyre, zgjedhjet e përsëritshme të parakohshme “rrisin pasigurinë dhe dëmtojnë vazhdimësinë institucionale”.

Organizatat vlerësojnë se vendi ka kaluar tashmë një periudhë pa stabilitet të plotë institucional.

“Çdo vonesë cenon funksionimin demokratik, zhvillimin ekonomik dhe besimin qytetar”, theksohet më tej.

Ato u bëjnë thirrje partive “të angazhohen me seriozitet në dialog konstruktiv” dhe “të vendosin interesin qytetar mbi kalkulimet partiake”.

“Në të kundërtën, dështimi do të konsiderohet mungesë vullneti politik”, paralajmëron letra.

Go to TOP