Geci: Lufta për liri ishte e drejtë, por disa e keqpërdorën për pushtet
Ish-deputeti dhe veprimtari i çështjes kombëtare, Gani Geci, ka reaguar me një mesazh publik lidhur me 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës duke theksuar se lufta e popullit shqiptar për liri ishte e drejtë dhe e pashembullt, por sipas tij, jo të gjithë e ruajtën atë frymë.
Geci vlerësoi përpjekjet historike të popullit për të arritur deri te dita e pavarësisë duke theksuar se sakrifica kolektive ishte e drejtë dhe legjitime. Megjithatë, ai kritikoi individë të caktuar që, sipas tij, u ndikuan nga ideologji të trashëguara nga Revolucioni i Tetorit në Rusi dhe fryma komuniste, të cilat, sipas tij, sollën eliminime dhe përçarje politike.
“Disa individë e shfrytëzuan luftën për liri për t’ia marrë lirinë tjetrit, për të vrarë, sharë e fyer vetëm pse mendonte ndryshe”, ka deklaruar ai duke shtuar se drejtësia duhet të vihet në vend për secilin sipas meritës.
Në reagimin e tij, Geci kritikoi edhe shfrytëzimin e ditës së festës së pavarësisë për protesta politike duke lënë të kuptohet se interesa të ngushta pushteti po vendosen mbi interesin kombëtar.
Në fund të mesazhit të tij, ai u lut që secili të marrë meritat apo ndëshkimin që i takon dhe përmbylli me urimin: “Zoti e bekoftë popullin shqiptar. Zoti e bekoftë Kosovën.” /Kosova.info/
