Abdixhiku: UÇK ështe vet populli i Kosovës

Në seancën speciale të Kuvendi i Kosovës, në 18-vjetorin e shpalljes së Republikës, kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, mbajti një fjalim me tone të forta reflektuese, duke e cilësuar këtë datë si një moment përgjegjësie historike.

Ai theksoi se kjo përvjetor nuk është thjesht një festë, por një ditë që kërkon vetëdije dhe kujtesë të thellë kombëtare. “Dita e sotme është ditë që na bën të kujtojmë me përgjegjësi”, u shpreh ai para deputetëve.

Sipas tij, Pavarësia e Kosovës nuk mund të reduktohet në një akt të vetëm formal të 17 shkurtit 2008. “Pavarësia e Kosovës nuk ishte vetëm një akt dite që shënon pavarësinë e Kosovës pasi që e tillë nisi shumë më herët, është kulmi i një procesi të gjatë shekullor për mbijetesë, identitet dhe mbi të gjitha dinjitet”, deklaroi Abdixhiku.

Ai nënvizoi se kjo datë duhet të rikujtojë jo vetëm aktin e shpalljes së pavarësisë, por të gjithë rrugëtimin e një populli që, siç tha ai, “duroi dhe nuk u dorëzua”.

Në fjalën e tij, Abdixhiku rikujtoi edhe rolin e presidentit historik Ibrahim Rugova, duke e cilësuar atë si atin themeltar të shtetit. “Rugova dhe lëvizja e madhe për liri, për pavarësi dhe demokraci i dha Kosovës një orientim historik dhe epokal e ktheu çështjen e saj nga një konflikt i harruar në Jugosllavi në një çështje ndërkombëtare, nga një realitet i dhunshëm në një projekt politik me legjitimitet moral”, vlerësoi ai.

Kryetari i LDK-së nuk la pa përmendur as luftën e Ushtria Çlirimtare e Kosovës, duke e cilësuar atë si një zgjedhje të vështirë, por të domosdoshme dhe të guximshme. Sipas tij, ishte bindja se një popull i vogël, me një të drejtë të madhe dhe të jashtëzakonshme, duhet ta fitonte përkrahjen e botës perëndimore përmes maturisë, qëndrueshmërisë dhe vizionit.

“Ishte zgjedhje për ta ruajtur shoqërinë, për ta mbajtur gjallë kombin dhe për ta ndërtuar shtetin mbi vlera”, theksoi Abdixhiku, duke shtuar se historia e Kosovës është edhe histori e përballjes me nevojën për mbrojtje të armatosur.

Duke kujtuar sakrificën e Adem Jashari dhe familjes së tij në Prekaz, ai tha se “Familja Jashari dhe Prekazi janë kthesë historike e kësaj rruge, sakrifica e tyre e përmasave që vështirë mund të shpjegohen e fliten, nuk ishte vetëm heroizëm individual ishte akt themelues i ndërgjegjies sonë kolektive, akt themelues i vetë çlirimit”.

Në përmbyllje, Abdixhiku theksoi se ngjarjet e asaj kohe zgjuan ndërgjegjen kombëtare dhe ndërkombëtare. “Prekazi e zgjoi ndërgjegjen kombëtare dhe ndërkombëtare dhe bëri të qartë se padrejtësia e ka arritur kufirin e saj të fundit. UÇK ishte përgjigje e një populli të shtypur ndaj dhunës sistematike dhe krimeve kundër njerëzimit, UÇK u bë faktor i pashmangshëm i realitetit politik dhe historik”, përfundoi ai.


Go to TOP