Haxhiu: Miratohet në lexim të parë Buxheti 2026 prej 4 miliardë eurosh, të premten mbahet leximi i dytë

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se Kuvendi ka miratuar në lexim të parë Projektbuxhetin për vitin 2026, në vlerë prej 4 miliardë eurosh.

Përmes një njoftimi, ajo e cilësoi këtë si një hap të rëndësishëm procedural, që i hap rrugë leximit të dytë dhe më pas realizimit të shërbimeve dhe projekteve që mbështeten nga ky buxhet.

Sipas saj, gjatë debatit parlamentar është theksuar se projektet e parapara me Buxhetin 2026 synojnë forcimin e sigurisë dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Haxhiu falënderoi deputetët për angazhimin, kontributin në debat dhe votën e dhënë në këtë seancë, duke bërë të ditur se, me vendim të Kuvendit, leximi i dytë i buxhetit do të mbahet të premten, në orën 11:00. /Kosova.info/

Go to TOP