AGK: Mosvazhdimi i kontratave të dy gazetareve në RTK, vendim hakmarrës dhe i dëmshëm për lirinë e medias

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka shprehur shqetësim të thellë për vendimin e menaxhmentit të Radio Televizioni i Kosovës (RTK) për të mos vazhduar kontratat e punës për dy gazetare, Hana Marteti dhe Edina Avdiu.

Sipas reagimit të AGK-së, mosvazhdimi i angazhimit të tyre në transmetuesin publik lidhet drejtpërdrejt me punën e tyre profesionale dhe me mosgatishmërinë për t’iu nënshtruar presioneve apo për të bërë kompromise në raportim.

AGK vlerëson se ndërprerja e kontratave pa një vlerësim të qartë dhe transparent të performancës përmban elemente të një vendimi të planifikuar më herët dhe me karakter hakmarrës. Në reagim theksohet gjithashtu se menaxhmenti i RTK-së ka qenë në dijeni për shtatzëninë e gazetares Edina Avdiu, çka, sipas tyre, e bën situatën edhe më shqetësuese.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e konsideron këtë praktikë si të dëmshme dhe që minon besimin e publikut në transmetuesin publik”, thuhet në reagim.

AGK ka shprehur solidaritet të plotë me gazetaret Marteti dhe Avdiu duke bërë të ditur se do t’u ofrojë mbështetje ligjore për të sfiduar këtë vendim në rrugë institucionale.

Rasti ka nxitur reagime në opinionin publik dhe pritet që ditëve në vijim të ketë qëndrime edhe nga menaxhmenti i RTK-së lidhur me akuzat e ngritura. /Kosova.info/


Go to TOP