Konjufca: Forcimi i Kosovës fuqizon Aleancën Perëndimore
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka bërë të ditur se vizitën e tij të parë jashtë Kosovës në këtë mandat e ka zhvilluar në Munich, ku mori pjesë në Munich Security Conference, forumin më të rëndësishëm global të sigurisë.
Konjufca theksoi se pjesëmarrja e delegacionit të Kosovës në këtë konferencë, në një moment kur rendi botëror po riformësohet, përbën një mundësi të rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit me aleatët ndërkombëtarë.
Ai bëri të ditur se në këtë forum ishte së bashku me Kryeministrin Albin Kurti dhe Ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ku u diskutuan sfidat rajonale dhe kontinentale të sigurisë, si dhe nevoja për koordinim më të ngushtë me partnerët strategjikë.
Sipas tij, forcimi i Kosovës si pjesë e Aleancës Perëndimore dhe kontributi i çdo aleati individualisht, do ta bëjë më të fuqishme aleancën veri-atlantike përballë sfidave të shekullit të ri gjeopolitik. /Kosova.info/
