Jagxhiu: Do ta ndërtojmë një administratë moderne dhe më afër qytetarit
Të mërkurën është zgjedhur Qeveria e re e Republikës së Kosovës, ndërsa në kuadër të saj, Lulëzon Jagxhiu është emëruar Ministër i Digjitalizimit dhe Administratës Publike.
Jagxhiu ka pranuar zyrtarisht detyrën një ditë më pas duke e cilësuar këtë si një kapitull të ri të angazhimit të tij në shërbim publik në kuadër të Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti.
Ai është shprehur i nderuar për besimin e dhënë nga kryeministri duke theksuar se përgjegjësinë do ta ushtrojë me përkushtim të plotë dhe me synimin që përvoja dhe njohuritë e tij profesionale t’i vë në funksion të shtetit dhe qytetarëve.
Jagxhiu ka vlerësuar punën e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe të zëvendësministrit Bardhyl Dobra, të cilët gjatë mandatit të kaluar kanë udhëhequr edhe portofolin e administratës publike në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Sipas tij, gjatë mandatit të dytë të qeverisë janë ndërmarrë reforma të rëndësishme drejt një administrate më meritokratike, më transparente dhe më të hapur, si dhe janë realizuar hapa konkretë në digjitalizimin e shërbimeve publike dhe në forcimin e transformimit digjital.
Me themelimin e Ministrisë së dedikuar për Digjitalizim dhe Administratë Publike në kuadër të Qeverisë Kurti 3, pritet të thellohet procesi i reformave me fokus më të madh institucional, koordinim më të mirë dhe rritje të efikasitetit.
Jagxhiu theksoi se synimi kryesor mbetet ofrimi i shërbimeve më të thjeshta dhe më të shpejta për qytetarët, ndërtimi i një administrate profesionale dhe të përgjegjshme, si dhe avancimi i digjitalizimit si bazë e një shteti modern dhe funksional. /Kosova.info/
