Sadiku: Qeveria formon ministri të reja, por në buxhet i lë me zero euro
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ermal Sadiku, ka reaguar ashpër ndaj projektbuxhetit të paraqitur në Kuvend duke e cilësuar atë si joserioz dhe tallje me Parlamentin.
Sadiku theksoi se vetëm pak ditë pas formimit të qeverisë së re, e cila sipas tij u prezantua me ceremoni, me katër ministri të reja dhe me premtime për reforma e modernizim, deputetëve u është dorëzuar një dokument buxhetor prej 723 faqesh vetëm tre orë para seancës, me kërkesën për ta votuar.
Sipas tij, në projektbuxhet këto ministri të reja “nuk ekzistojnë financiarisht” duke pretenduar se për to janë paraparë zero euro.
Ai ngriti shqetësim të veçantë për Ministrinë e Digjitalizimit, për të cilën tha se nuk është ndarë asnjë cent duke e cilësuar këtë si mungesë prioriteti dhe vizioni.
Sadiku kritikoi gjithashtu një dispozitë që, sipas tij, i jep Ministrit të Financave të drejtën të alokojë buxhet “sipas vlerësimit të tij” duke e konsideruar këtë si shmangie nga planifikimi dhe debati parlamentar.
Në reagimin e tij, deputeti i LDK-së e quajti këtë qasje “improvizim” dhe “standard të papranueshëm të qeverisjes” duke shtuar se buxheti i shtetit nuk mund të trajtohet si dokument që ndryshohet në moment të fundit pa analizë dhe transparencë. /Kosova.info/
