Murati: Buxhet emergjent 2026 dhe rishikim i ardhshëm për komunat

Gjatë diskutimeve për projektligjin e buxhetit 2026, ministri Hekuran Murati tha se Qeveria ka proceduar një buxhet emergjent për të siguruar funksionimin normal të institucioneve dhe se një rishikim i ngjashëm me atë të vitit 2021 do të bëhet sapo të jetë buxheti i plotë.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se ka dëgjuar shqetësimet dhe vërejtjet e grupeve parlamentare lidhur me çështjen e ministrive pa buxhet.
Ai ka theksuar se Qeveria, në ditën kur ministrat morën detyrën, ka proceduar menjëherë ligjin për ndarjet buxhetore. Sipas tij, ka qenë një buxhet emergjent, më shumë sesa një buxhet i plotë për tërë vitin.

Murati shtoi se, po të kishte një buxhet të miratuar dhe në fuqi, patjetër do të bëhej një rishikim i ngjashëm me atë të vitit 2021. Një rishikim i tillë parashihet edhe tani, madje edhe për komunat. 

Ai theksoi se qëllimi i Qeverisë ka qenë të sigurojë mbarëvajtjen e vendit dhe funksionimin normal të shtetit dhe institucioneve. Ndërsa zgjatja për muajin mars, sipas tij, siguron vetëm shërbimet rrjedhëse.


Go to TOP