Kosova pa gazetat e shtypura: Nostalgjia e lexuesve për “Rilindjen”

Pavarësisht zhvillimit të shpejtë të teknologjisë informative, gazetat e shtypura sot kanë kaluar në histori në Kosovë. Vendi ku u botua gazeta e parë në gjuhën shqipe, “Rilindja”, nuk ruan më aktivitetin e dikurshëm, pasi zona përfshirë objektin e saj ka ndryshuar pamjen.

Dikur pjesë e përditshmërisë në çdo shtëpi, gazetat sot mungojnë në raftet e shitjes dhe në duart e lexuesve besnikë. Për më të moshuarit, kjo mungesë nuk është vetëm ndryshim formati, por edhe një boshllëk emocional. Ata kujtojnë mëngjeset me gazetën në dorë, aromën e letrës së freskët dhe ritualin e leximit faqe pas faqe. Rubrikat e preferuara, si sporti apo muzika, ishin gjithmonë të pritura me padurim.

“Sot për sot më mungon për nostalgji edhe për vërtetësi. Informacioni në rrjetet sociale nuk kalon nëpër asnjë filtër”, thotë  Xhafer Xhemajli.

Lul Emrah kujton kohën kur kryesisht lexonte rubrikën e sportit

“Lexonim sportin dhe politika nuk na ka interesuar shumë. Ne shijonim të dhënat tona, ndryshe nga të tjerët që lexonin politika.”

“Tjetër është gazeta, tjetër është ajo që lexojmë në internet. Gazetat na mungojnë shumë, pa to nuk ishte e njëjta rutinë e mëngjesit”, tha ndërkaq Sedat Sejhadi.

Azis Sefercaj thotë se me kafën e mëngjesit zakonisht lexonim gazetën. “Informacioni i detajuar dhe besueshmëria e saj ishte një përparësi krahasuar me portalet online”, thotë ai.

Gazetari dhe aktivisti Fisnik Minci shpjegon se mosbotimi i gazetave lidhet me kalimin masiv drejt mediave online.

“Besueshmëria në gazeta ka qenë më e madhe, pasi çdo artikull kalonte përmes redaktorëve dhe kryeredaktorit. Kjo nuk ndodh në rrjetet sociale dhe portalet, ku filtrat e kontrollit shpesh mungojnë.”

Tashmë, gazeta e shtypur, qoftë “Rilindja” apo ato që pasuan, nuk botohen më në Kosovë, duke lënë pas një boshllëk për lexuesit që e kanë pasur gazetën pjesë të rutinës së tyre të përditshme. 


Go to TOP