‘Liria ka Emër’ përshëndet Deklaratën e Kuvendit të Shqipërisë
Platforma “Liria ka Emër” e ka përshëndetur Deklaratën e miratuar sot nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për pafajësinë e ish-liderëve të UÇK-së.
Përmes një komunikate për media, kjo platformë ka shprehur mirënjohje për gatishmërinë e treguar nga shteti shqiptar për t’u angazhuar në hapa diplomatikë dhe politikë në forumet ndërkombëtare, me qëllim që, sipas tyre, të mbrohet e vërteta historike mbi luftën e UÇK-së dhe të sigurohet një proces i drejtë gjyqësor.
Në këtë deklaratë theksohet se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një lëvizje legjitime dhe përfaqësuese e aspiratave të popullit të Kosovës për liri, dinjitet dhe vetëvendosje, në përputhje me parimet ndërkombëtare.
Deklarata nënvizon se lufta e UÇK-së nuk mund të barazohet me krimet e regjimit serb dhe se kërkesa e Prokurorisë rrezikon shtrembërimin e historisë.
“Përmes kësaj deklarate, kërkohet nga Dhomat e Specializuara në Hagë, komuniteti ndërkombëtar dhe institucionet e drejtësisë ndërkombëtare që të deklarojnë pafajësinë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, përmes një procesi të drejtë dhe të paanshëm që respekton dhe nuk cenon dinjitetin e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Në fund, platforma ka falënderuar qytetarët, organizatat dhe grupet shoqërore brenda dhe jashtë vendit për mbështetjen e vazhdueshme ndaj, siç thuhet, kauzës për drejtësi të paanshme.
