Dixon: Veprimet legjitime s’mund të kthehen në ndërmarrje të përbashkët kriminale
Mbrojtësi i Veselit, Rodney Dixon, tha në fund të seancës së sotme në Hagë se njerëzit u bashkuan rreth UÇK-së për të çliruar Kosovën, dhe ata nuk e formuan atë me “qëllim kriminal”.
“Veprimet legjitime nuk mund të kthehen në ndërmarrje të përbashkët kriminale”, tha ai.
Mbrojtja e Veselit vazhdon edhe nesër deklaratat përmbyllëse në Gjykatën Speciale.
Dixon thotë se ZPS ka prova “të pavërtetuara” kundër Veselit
Dixon tha se janë dy raste kur ZPS ka ofruar dëshmi kundër Veselit, por ai pretendoi se këto janë dëshmi të pavërtetuara.
Sipas tij, ZPS-ja synon të përdorë një provë, të pavërtetuar, të një personi që nuk është paraqitur në gjykatë, dhe ta përdorë si bazë për fajësinë e Veselit, duke shtuar se këto nuk janë në formën e deklaratës të një dëshmitari.
“ZPS mbështetet në prova dytësore. Por, pala mbrojtëse nuk ka mundur t’i marrë në pyetje këta dëshmitarë ku bazohen këto informacione”, tha ai.
Pretendimi i dytë, tha Dixon, ka të bëjë për një të ndaluar në Kleçkë, “edhe kjo është e bazuar në një informacion të dorës së dytë”.
“Akuza e vetme që vjen për pjesëmarrjen e tij të drejtpërdrejt vjen nga një dëshmitar të cilin unë nuk mund ta marr në pyetje”, tha Dixon.
Mbrojtësi i Veselit: Kemi ngelur në duart e thashethemeve
Mbrojtësi i Veselit po vazhdon fjalën përfundimtare, duke insistuar se ndaj klientit të tij nuk ka asnjë provë për përfshirje në krime, por theksoi se “kemi ngelur në duart e thashethemeve”.
Ai tha se emri i Veselit përmendet 260 herë në dosjen e Prokurorisë, por në asnjë rast emri nuk i përmendet në një kontekst që ka element kriminal.
“Pretendimet e drejtpërdrejta [për përfshirje në krime të Veselit] janë bazuar tërësisht në prova dytësore, shpesh dhe janë hequr. ZPS nuk ka gjetur asnjë dëshmitar që të vijnë në gjykatë dhe të thotë se Veseli ka kryer krime. S’mund ta bënin sepse nuk ekziston”, tha ai.
Dixon se tha në periudhën e luftës askush nuk e njihte Veselin, por kur ai u bë i njohur pas luftës, në aspektin politik, “dolën disa persona që u përpoqën të njollosnin emrin e tij”.
“Ndonëse nuk thanë asgjë kundër tij në luftë, pas luftës dolën me akuza të pabaza. Por, asnjë prej tyre nuk erdhi këtu në mënyrë që ta kontestonim”.
