Sadiku: LVV nesër formon qeverinë me pakicat, enigmë mbetet emri i presidentit

Politologu Arbnor Sadiku ka vlerësuar se Lëvizja Vetëvendosje pritet ta formojë qeverinë që nesër, në bashkëpunim me pakicat parlamentare, ndërsa çështja e zgjedhjes së presidentit mbetet ende e paqartë.

Sipas Sadikut, në momentin kur të vijë koha për zgjedhjen e presidentit, do të shihet nëse Vjosa Osmani do të jetë emri i përzgjedhur apo jo. Ai shprehet se aktualisht ka më shumë gjasa që Osmani të mos jetë presidente, ndonëse, sipas tij, LVV po vepron sikur po punohet në këtë drejtim.

“Duket sikur po krijohet një përshtypje se Vjosa Osmani do të jetë zgjedhja, por në fund mund të përfundohet me një emër tjetër”, ka deklaruar Sadiku.

Ai shton se mbetet e hapur dilema se kush mund të jetë kandidati për president nëse Albin Kurti nuk e mbështet Osmanin duke ngritur mundësinë e një figure kompromisi apo edhe të një emri surprizë në skenën politike.

Sadiku thekson se kjo çështje do të jetë një nga testet kryesore politike për shumicën e re dhe për marrëdhëniet brenda spektrit qeverisës. /Kosova.info/


Go to TOP