Cakolli: Nënkryetarët e Kuvendit do të votohen në pako, praktikë kushtetuese dhe funksionale

Eksperti i çështjeve zgjedhore, Eugen Cakolli, ka bërë të ditur se në mbledhjen përgatitore për seancën konstituive të Kuvendit është arritur dakordim që të pesë nënkryetarët e Kuvendit të votohen në pako.

Sipas tij, kjo mënyrë votimi përfshin jo vetëm nënkryetarët nga komunitetet, por të gjithë nënkryetarët e Kuvendit dhe është plotësisht në përputhje me kuadrin kushtetues. Cakolli thekson se Gjykata Kushtetuese ia ka lënë teknikën e votimit diskrecionit të vetë Kuvendit, përderisa respektohen të drejtat e propozimit dhe shumica e nevojshme për zgjedhje.

Ai shton se votimi në pako ka logjikë të qartë institucionale dhe ka qenë edhe më herët një zgjidhje funksionale, pasi e shpejton procesin e konstituimit dhe e ndan përgjegjësinë politike mes të gjitha grupeve parlamentare.

Megjithatë, Cakolli vë në dukje një paradoks politik duke kujtuar se kjo praktikë ishte kundërshtuar vitin e kaluar pikërisht nga ata që sot e kanë shtyrë përpara duke e cilësuar atë atëherë si problem parimor.

“Në fund, kjo tregon se praktikat parlamentare marrin kuptim nga mënyra se si përdoren. Kur shërbejnë për konstituimin dhe funksionimin e Kuvendit, ato mbeten mjete legjitime të rendit parlamentar”, ka përfunduar Cakolli. /Kosova.info/


Go to TOP